PERËNDIJA


Ç’sheh ësht Zot’ i vërtetë,
Ç’dëgjon është zër’ i tija,
Gjithë ç’ka e s’ka në jetë
Është vetë Perëndija.
Mos shiko valëtë p’anë
Mos të gënjenjë rrëmeti,
Të tëra një burim kanë,
Gjithë ngrihen pej një deti.
Në det të math e të gjërë,
Çdo valë, që të sheh syri
Atje është det’ i tërë,
Po valëtë mirë qyri.
Kur fa zësh gjënë të bërë,
Ësht’ ashtu me të vërtetë,
Po t’a vesh re gjat’ e gjërë,
Ësht’ ajy bërësi vetë.
Dhe kush flet, edhe ç’gjë flitet,
Ç’duket e s’ duket në jetë,
Dhe kush sheh, dh’ ajo që shihet
Zot’ i vërtet’ është vetë.
Se e tërë gjithësija,
Që nuk’ i gjëndetë fundi,
Është vetë Perëndija,
Për atë s’ka vënt gjëkundi.
Është në shesht Perëndija,
I verbër! s’munt t’a shohë,
Ajo është gjithësija,
I dituri munt t’a njohë.
Pe një lulezë kur shohim,
Dhe të vëmë re një fletë,
Me dituri, t’a njohim,
Q’atje ’shtë Zot’ i vërtetë.
Është në shesht Perëndija,
Sicili do munt, t’a njohë,
Po s’e mbuloj e padija,
Njeri tekdo munt t’a shohë.
Kush do t’a shohë të tërë,
Të shohë mirë njerinë,
Vethen’ e tijre të vërë,
Atje gjen Perëndinë.
Dhe Parajsi dhe Skëterra,
Dhe engjëlli edhe djalli,
Edhe gjithë ç’ka të tjera,
Janë mbrenda tek i gjalli.
Ajy që ka mirësinë
Ka Perëndin’ e të mirat,
Edhe kush ka djallëzinë,
Ka djallë e ligësirat.
Më çdo anë e kërkova,
Thashë, ku ’shtë Perëndija?
Po më pastaj e mësova,
Qenka ndaj mej’ e s’e dija!
Kërkonja gjetkë t’a gjejë
Zotn’ e math e të vërtetë,
Ajy qënëkej ndaj meje,
E paskësha unë vetë!
Me fjal’ e me agjërime
Nuk’ e gjen dot Perëndinë,
As me kreshm’ e me kungime,
Si punojn’ ata që s’dinë.
Trajstën’ e ke plot me bukë
Edhe hiqesh si i mjerë,
Dhe ke zën’ e thua nukë
E lipën derë më derë!
Është ndaj teje i gjallë,
Ti e kërkon nëpër gurë,
Në të rrem e në përrallë
Andaj nuk’ e gjen dot kurrë.
Pa s’vdes kurrë Perëndija
Po kush vdes në jetë vallë?
Gjë s’vdes, sepse gjithësija
Është gjithënjë e gjallë.
Qeshë diellë, ishnja hënë,
U bësh’ uj’ e balt’ e erë,
Yll e zok e dash kam qënë
Pa dhe njeri shumë herë.
Sa det i math e i gjerë!
Edhe sa mijëra valë,
Si-cil’ atje do të bjerë
Prapë soje do të dalë.
Mijëra shpirtëra ngrihen,
Bijen mijëra të tjera,
Vjen dimëri, lulet pshihen,
I nxjer prapë në shesht vera.
Nj’ është, po ka shumë gjyrë
Duket sikur s’ka të ngjarë,
E sheh fytyrë fytyrë
Po ’shtë i njëjt’ e i pandarë.
Ajy është trëndafili
Edhe gjemb’ i trëndafilit,
 Ajy është dhe bilbili,
Ajy dhe zër’ i bilbilit.
Mos shiko ç’rrobe ka veshur
Është mbrënda vet’ i qetë,
Syr’ i t’urtit e sheh çveshur
Veç ati s’ka gjë ndë jetë.
Zoti është gjithësija
Ay është gjithë ç’janë,
Po kush njeh vethen’ e tija
S’e kërkon më tjatër anë.
Dhe qelqeja u-hollua
Dhe vena pa u përzjenë,
S’ka ven’ është qelqe thua
A s’ka qelqe, është venë!
Unë ndaj teje një pikë?
det i gjër’ e pa anë!
Të hynj brënda! më vjen frikë!
Po s’hiqem dot dhe më nj’ anë.
Të kisha zën’ e bilbilit
Gjithënjë do të këndonja
Bukurin’ e trëndafilit,
Dhe kurrë të mos pushonja!
Po ti vetë je, o bilbil.
Ti je edhe dashurija,
Ti je edhe trëndafili
Edhe bukuri e tija.
Ti je ç’është jet’ e tërë
Ti je vetë gjithësija,
Ti vetë njeri je bërë
More fytyrën’ e tija!
 Oh! det i madh, i pa-anë,
Në një stamnë qysh ka hyrë?
Ay q’është gjithë ç’janë!
U mblodh tok më një fytyrë?
Më çdo anë që shikova,
Pashë mirë që je vetë,
Të gjeta tek të kërkova
Zot’ i madh e i vërtetë!
Prej trupi shpirt është bërë,
Edhe shpirti trup në jetë,
Është bërë një i tërë
Gjithë ç’është është vetë!
Paskëtaj, o shokë, kurrë
Mos kërkoni Perëndinë,
Nëpër mur’ e nëpër gurë,
Po shihni mirë njerinë!
Zemr’ e njeriut në jetë
Është vënt’ i Perëndisë,
Ësht’ atje Zot’ i vërtetë
Det’ i madh i gjithësisë.
Ay është gjithësija
Edhe udh’ e Perëndisë,
Është vetëm njerëzija
Q’i duhetë njerëzisë.
Merr’ dorën e diturisë
Pa ajo do të nxjerë
Gjer te fron’ i Perëndisë,
Ndaj soje do të të shpjerë.
Ësht’ e vërtetë kjo punë
Mos qëndroni n’errësirët,
Se këtë s’e gjeta unë
E kanë thënë të Mirët.


Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI
Poezi per femije 
poezi-per-femije.blogspot.com
____________________________________