ABAZ — ALIU



Engjëll! që m’u qasë pranë
Nga i madhi Zot,
Pse më rrëfen Qerbelanë?
A do të derth lot?
moj fush’e Qerbelasë!
Që më rri ndër sy,
Plot me gjak t’Ali-Abasë,
Vallë ç’ësht’ ay?
Ç’ësht’ ay që shkon kaluar,
Ikën si veriu,
Me dy-tri foshnja nër duar?
Ësht’ Abas-Aliu!
Shpije foshnjatë në lumë,
Se s’durojnë dot,
I ka marrë etja shumë,
E qajnë me lot!
Ujët ua kanë prerë
Janë në shtrëngim,
Si të varfër e të mjerë.
Në zi, në hidhërim.
Më ç’do an’ i ka rrethuar
Kombi faqezi,
Komb’i lik i xnallëkuar,
Posi mizëri!
Nëpër mest të ushtrisë
Të armikut shkon,
Si ëngjëll i Perëndisë,
Nd’erë fluturoni
Shigjetat si breshërimë
I vinë ngado,
Ay po si vetëtimë
Ikën nëpër ’to.
Shërbtor’e njerëzisë
Shigjeta s’e çpon
Edhe nder’e trimërisë
Zoti e mburon.
Ç’ikën ay kal’i shkretë,
Mi dhë nuk shkel
Nga potkonjtë q’ikën shpejtë
Zjar e flak’i del!
moj kafshëz e uruar,
Mos shkel për mi dhë.
Se’shtë gjaku i bekuar,
Ikë nëpër rë!
Frat, o more lum’i shkreti
Mos këndo pa qaj,
Derth lot e rënko për jetë,
Mos qesh paskëtaj;
Se Hysejn’e Fatimesë
Me faret të ti,
E vranë komb’i pabesë,
Kombi faqezi.
Abas Aliu zu’ Tomorë,
Erdhi afër nesh,
Shqipërija s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh.
Hysejni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Për të shpëtuar njerinë
Ra nde Qerbela.
Hysejni ’shtë dashurija
Që fatbardhëson,
Buron soje miqësija,
Qe na lartëson.
Jeziti ’shtë egërsirë,
Që sjell ligësi,
Dhe s’del soje pun’e mirë
Po dëm edhe zi.
Kushdo që bën mirësinë
E ka njerëzi
Ka besuar Alinë,
Dhe udhën e ti.
Gënjeshtra ’shtë Mavijeja,
Që prish edhe sot,
E drejta ’shtë Fatimja,
Dhe i madhi Zot.
E liga është Mervani
Që nxin e shkretën,
Djallëzija ’shtë Syf jani,
Që dhe sot dërmon.
Imamëtë dymbëdhjetë
Nga der’e Aliut,
Hoqn’e vuanë ndë jetë
Por nder të njeriut.
Zotërinj! ju qofsha falë!
Që hoqtë për ne,
Na latë vetëm një fjalë
Për bes’e fe.


Lulet e Veres
nga
NAIM FRASHERI
Poezi per femije 
poezi-per-femije.blogspot.com
____________________________________